fbpx

A janë AKNE “aknet” fungale?

Aknet fungale janë bërë trend në rrjetet sociale kohët e fundit. Si shumë trende për kujdesin e lëkurës që vijnë, nuk qëndrojnë gjatë dhe ikin e harrohen, edhe ky “trend” na bën të reflektojmë për saktësinë e informacionit që shpërndahet dhe efektivitetin e atyre që lexojmë.

Siç ishim në epokën e gjalpit të kokosit, i cili përdorej për çdo problematikë të jetës dhe shumë shpejtë u bë gjalpi që sillte çdo problematikë të jetës, tani jemi në “epokën” e akneve fungale, ku “çdo produkt mund ti shkaktojë dhe çdo njeri mund ti ketë”. Por, sa i saktë është ky informacion, çfarë janë me të vertetë dhe kush nga ne mund ti ketë, le ta diskutojmë bashkë pak më poshtë.

“Aknet” fungale në realitet nuk janë akne fare, pavarësisht emrit të tyre. Aknet normalisht janë bakteriale (më tipikja Propionibacterium acnes), nërsa “aknet” fungale kanë prejardhje fungale (dmth, nga kërpudhat, dmth nuk kanë lidhje me bakteriet). Ato krijohen nga inflamacioni i folikulit te flokut (ku rritet qimja) dhe shkaktohen nga rritja / shumimi i kërpudhave. Në pamje të jashtme duken si pika të kuqe, të imëta të cilat mund të mbushen dhe me qelb. Zonat më tipike ku mund të shfaqen janë tek pjesa e gjoksit, shpinës, në skalpin e flokëve apo në sqetulla (zona ku ka më shumë lagështi).
Në këto momenti ndoshta juve ju rriten dyshimet mos keni “akne” fungale, sidomos nga fama e madhe në rrjetet sociale që kanë marr. Por, në realitet “aknet” fungale jane shumë shumë të rralla (le të themi që një dermatolog mund të ketë mesatarisht 1-2 raste në vit (jo në ditë, por në vit) dhe janë më tipike në shtetet ku ajri ka më shumë lagështi (në Arabi Saudite, Hawaii, Filipine, Misisipi etj.).

Nëse ju dyshoni se mund të keni akne fungale, vendi më i gabuar për ta vlerësuar një gjë të tillë është në rrjetet sociale, pasi edhe me vizitë tek dermatologu nuk është një vlerësim i lehtë e shpejtë për tu bërë. Në një rast të tillë, sigurisht që rruga e vetme dhe e duhura është të bëni vizitë tek dermatologu dhe të merrni trajtimin e duhur (antifungal, jo antibakterial).

Çfarë produktesh i përkeqësojnë “aknet” fungale?
Një informacion tjetër i gabuar që qarkullon në rrjetet sociale është se produktet me përbërje të lartë vajore shkaktojnë “akne” fungale. E. vërteta është se kërpudhat “ushqehen” me yndyrna (në momentin që ju i keni në lëkurë), por gjithashtu zhvillohen më shumë në një lëkurë me barrierë jo funksionale dhe të pambrojtur. Prandaj, produktet e kujdesit të lëkurës nuk përzgjidhen sipas metodikës shkaktojnë / nuk shkaktojnë “akne” fungale, por sipas llojit të lëkurës dhe interesave për të mbrojtur maksimalisht funksionin e barrierës së lëkurës (ku yndyrnat janë esenciale).
Në rast se ju veçse keni “akne” fungale dhe kjo konfirmohet nga dermatologu juaj, atëherë ajo / ai do ju sugjeroj një trajtim antimikotik, të përshtatshëm për trajtimin e tyre.